Kërkohet heqja e kushtëzimit të gjobave për regjistrim të automjeteve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi kohë më parë se më nuk do të ketë nevojë për vërtetim të tatimit në pronë për ta regjistruar veturën.

Ky vendim është mirëpritur nga drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, i cili ka deklaruar se kjo do të lehtësojë procedurat e regjistrimit të veturave.

“E vlerësojmë pozitivisht Projektrregulloren mbi pezullimin e shërbimeve komunale për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të tatimit në pronë, e propozuar nga ministri Murati. Kjo do të ndikojë pozitivisht te qytetarët”, tha Mazreku.

Ai theksoi se duhet hequr edhe kushtëzimi i gjobave për regjistrimin e automjeteve, gjë e cila, sipas tij, është antikushtetuese.

“Ne po ashtu kërkojmë të hiqet edhe kushtëzimi i gjobave për regjistrim automjeteve, i cili është kundërkushtetues”, tha Mazreku në televizionin publik.

Sipas tij, lehtësimi i procedurave për regjistrim të automjeteve do të ndikojë në uljen e numrit të automjeteve të paregjistruara në Kosovë.

Me anë të një postimi në Facebook, Murati, në fillim të këtij muaji, duke treguar se aktualisht për të regjistruar një veturë, pronari i saj duhet që të nxjerrë vërtetimin që nuk ka borxhe të tatimit në pronë, theksoi se me projektrregulloren e re, pas miratimit të saj në Qeveri, qytetarët nuk do të kenë më nevojë të nxjerrin një vërtetim të tillë kur e regjistrojnë veturën.

“Aktualisht, për të regjistruar një veturë, pronari i veturës kërkohet që të nxjerrë edhe vërtetimin që nuk ka borxhe të tatimit në pronë. Kurse me projektrregulloren e re, pas miratimit të saj në Qeveri, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë veturën. Kjo e lehtëson procesin e regjistrimit të veturave, sepse heq një detyrim që në fakt ka qenë barrë e vetëm atyre që kanë paguar me rregull faturat e tatimit në pronë (dikush që s’ka paguar tatimin nuk ka provuar fare me nxjerrë këtë vërtetim)”, pati thënë mes të tjerash ministri i Financave.

Po ashtu ai tha se me këtë rregullore të re do të ulet numri i veturave të paregjistruara, që, siç dihet, është edhe një kriter për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.