Kapet në Pejë i dënuari me 3 vite burg për narkotikë – dërgohet në vuajtje dënimi në Hajvali

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dënuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Pejë, i cili prej kohësh ishte në kërkim për shkak të një vepre penale të lidhur me narkotikë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 1 korrik 2025, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Pejë, pas një pune operative është lokalizuar dhe arrestuar Valon Radoniqi, 43-vjeçar.

Radoniqi ishte dënuar me 3 vite burgim për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pas arrestimit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, Prishtinë.