Ikja e mjekëve nga QKUK, Klinika e Ortopedisë do të mbetet me vetëm një anesteziolog

Largimi i mjekëve dhe personelit shëndetësor nga vendet e tyre të punës, është rritur dukshëm viteve të fundit. Avazi i ikjeve nga sektori publik në atë privat apo edhe jashtë vendit po vazhdon.

Mungesë në masë të theksuar po vërehet në fushën e anesteziologjisë.

Si pasojë e kësaj mungese ka rrezik se disa klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mund të mbesin pa staf adekuat.

Njëra, ndër to është edhe ajo e Ortopedisë, e cila do të mbetet vetëm me një anesteziolog.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica.

Ai tha se njëri anesteziolog del në pension, nga dy sa janë.

“Pesë anesteziologë kanë qenë, tre e kanë lëshuar punën, dy janë mbetur. Njëri prej tyre, Agron Balaj, në tetor do të dalë në pension. Po mbesim vetëm me një, inshallah bëhet ndonjë gjë, ndoshta këta të rinjtë i qesin më shpejtë, diçka bëhet”, tha Jashanica për Front Online.

Jashanica thotë se kanë bërë kërkesë vazhdimisht, por që nuk kanë marrë përgjigje.

“Po qysh nuk kemi bërë kërkesë. E kemi dërguar në drejtori, nuk kanë kthyer përgjigje as hiç”, thotë ai.

Për këtë, sipas tij janë fajtorë edhe menaxhmenti i kaluar.

Drejtori Jashanica thotë se edhe për një vit nuk e dinë se si do t’ia bëjnë me këtë numër të vogël të anesteziologëve.

“Edhe një vit kemi problem, se di çka bëjmë”, tha ai

Spahija: Vitin e kaluar e kanë lënë punën 10 anesteziolog

Ndërsa, vetëm në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv janë 45 anesteziologë.

Në vitin e kaluar, e kanë lënë vendin e punës 10 të tillë.

Edhe ata që janë pranuar vitin e kaluar, dy prej tyre e kanë lënë vendin e punës.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i kësaj Klinike, Gazmend Spahija.

“Në Klinikën e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv janë prezent 45 anesteziologë. Në vitin 2022 kontratën me QKUK-në e kanë ndërprerë 10 anesteziologë, fatmirësisht dy muajt e parë të vitit 2023 nuk kemi kërkesa për ndërprerje të kontratës. Nga 4 anesteziolog të rinj të pranuar në vitin 2022, 2 e kanë ndërprerë kontratën me QKUK-në, për momentin kemi 33 specializantë të cilët sapo kanë filluar vitin e tretë të specializimit”, shprehet ai për Front Online.

Drejtori i Anesteziologjisë: Listat e pritjes do të shtohen, shkak mungesa e anesteziologëve

Me këtë mungesë, edhe pritjet e pacientëve po zgjaten, thotë Spahija.

“Me siguri që lista e pritjes së pacientëve do të shtohet edhe për shkak të mungesës së anesteziologëve. Klinika e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv mundohet të sigurojë në mënyrë proporcionale anesteziologë për 40 njësi punuese (34 salla operative, 6 njësi ambulantore dhe 4 njësi me shërbim emergjent 24 orësh), varësisht nga numri i anesteziologëve prezent”, thuhet në përgjigjen e Spahiut.

Fenomeni i largimit të profesionistëve shëndetësorë nga sistemi shëndetësor publik i Kosovës është paraqitur tash e disa vite.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve ka bërë të ditur se nga fillimi i vitit 2023 hiç më pak se 35 mantelbardhë e kanë braktisur Kosovën.