I sëmurë dhe me diabet, vëllau tregon gjendjen e Nezir Mehmetajt në burgun serb, i zhgënjyer edhe me institucionet e Kosovës!

U arrestua me 3 janar të vitit 2020 nga policia serbe dhe që nga ajo kohë vazhdon të mbetet në masën e paraburgimit.

Nezir Mehmetaj nga Klina u arrestua nga policia serbe derisa ishte në pikë kalimin kufitar mes Serbisë dhe Kosovës.

Arrestimi i tij është bërë kinse ka akuza për krime lufte ndaj Mehmetajt.

Janë bërë tashmë dy vite e katër muaj që nga arrestimi i tij dhe akoma nuk është përcaktuar një akuzë konkrete, ndërkaq proceset gjyqësore po zvarriten.

Vëllau i Nezirit, Valoni thotë për Indeksonline se akoma janë duke u përseritur të njëjtat procedura, teksa të vëllanë ka kohë që nuk e ka parë.

“Është e njëjta procedurë, e njëjta situatë, e njëjta gjendje. Me telefon e kemi kontaktu herën e fundit, para 10 ditëve. Ai është i sëmurë, me diabet, mbajtja e tij po vazhdon qashtu” tha ai.

Familjës së Mehmetajt u është thënë se seancat po shtyhen për shkak të mungesës stafit të gjykatës.

“Nuk po mbahen seancat, po shtyhen. Na kanë thënë që ka mungesë të stafit të gjykatës. Nuk e di qëllimin përse, veç me këtë formë janë duke vazhduar. Vjet ka mbajtë seanca dhe janë dëgjuar dy palët, por prapë i është vazhduar paraburgimi. Katër seancat e fundit nuk po mbahen. Caktohen por nuk mbahen” deklaroi Mehmetaj.

Ai është i dëshpëruar nga qasja e institucioneve ndaj vëllaut të tij, duke thënë se kanë marrë vetëm premtime, por jo edhe përkrahje direkte.

“Me thënë të drejten, hala asnjë përkrahje direkte e as premtuese që mund të bazohemi në të. Vetëm në atë formën “jemi tu kqyrë, jemi tu u mundu” por nuk kemi asgjë që është shpresëdhënëse apo premtuese për me e ndihmu procedurën e tij për lirim” përfundoi Valoni.

Sipas pretendimeve të shtetit serb, Mehmetaj akuzohet për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë, nën uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mehmetaj ka mohuar të ketë kryer këto krime për të cilat po akuzohet. Ai madje ka mohuar të ketë marrur pjesë në luftë./Indeksonline