Hulumtimi i UNDP-së: Bie kënaqshmëria e qytetarëve për institucionet e Kosovës

Rezultatet e anketës së Pulsit Publik të vjeshtës 2021organizuar nga UNDP, tregojnë një rënie të lehtë të niveleve të kënaqshmërisë me të gjitha institucionet e Kosovës krahasuar me anketën e zhvilluar në maj 2021, përveç se me Zyrën e Kryeprokurorit.

Niveli i kënaqshmërisë me performancën e ekzekutivit në hulumtimin e fundit të UNDP-së kapi vlerën 47.6%, çka përbën një ulje prej 11.5 % krahasur me anketën e majit 2021 kur kjo vlerë ishte 59.1%.

Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit është 53.2% (59.5% në maj 2021), ndërsa me punën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është 55.5% (59.2% në maj 2021).

Niveli i kënaqshmërisë me Presidenten kapi vlerën prej 55.2%, krahasuar me shkallën e kënaqshmërisë prej 63.7% të regjistruar në maj 2021.

Ka pasur rritje të shkallës së kënaqshmërisë me Zyrën e Kryeprokurorit, me shkallë të kënaqshmërisë prej 34% (30.8% në maj 2021).

Janë rritur Indeksi i Demokratizimit dhe Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike në krahasim me anketat paraprake.

Një numër pak më i ulët i të anketuarve janë të gatshëm të protestojnë për arsye politike në periudhën tetor-nëntor 2021 sesa në maj 2021 (36.7%).

Dëshira për të protestuar ka rënë sit e komuniteti shqiptar, poashtu edhe te ai serb, thuhet në matjet e UNDP-së.

Papunësia vazhdon të mbetet ndër preokupimet kryesore të qytetarëve të Kosovës.

Përmbledhja e Pulsit Publik bazohet në anketën e opinionit të realizuar nga 20 tetori deri më 4 nëntor 2021, me 1,306 të anketuar nga të gjitha komunitetet etnike në Kosovë. Të dhënat dhe treguesit nga anketa e opinionit zbërthehen sipas përkatësisë etnike dhe gjinisë në mënyrë që të sigurohen informata të detajuara mbi dallimet në perceptimet për problemet zhvillimore me të cilat përballen qytetarët në Kosovë/