Haradinaj ‘kërcënon’ Kurtin: Albin, do të të mbajmë përgjegjës për pasojat

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka ripërsëritur kërkesën e tij drejtuar kryeministrit aktual, Albin Kurtit që ky i fundit të mos e heqë taksën prej 100 % ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.

Kësaj here, Haradinaj ka paralajmëruar edhe pasoja për Kurtin, në rast se vendos ta heqë taksën pa njohje nga Serbia në kufijtë aktual, shkruan Gazeta Sinjali.

Me heqjen e taksë, sipas Haradinajt, Kurti “po vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar”.

“Nëse shkon rrugës së parë për kontratën finale për njohje, do ta kesh përkrahjen time dhe të Aleancës. Nëse vazhdon me ofertën për kthim në proces të konsumuar e komprometuar, do të të mbajmë përgjëgjës për pasojat”, ka shkruar Haradinaj.

“Albin, ke ofertu heqjen e taksës, e po të ofrohet kthim në procesin dialogues, tashmë të konsumuar e komprometuar.
Mos e heq taksën për rikthim në proces të konsumuar e komprometuar, por oferto për kontratë finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues…
Oferto heqjen e taksës për Kontratën Finale për njohje në kufijtë ekzistues, jo për rikthim në proces dialogues tashmë të konsumuar e komprometuar”, ka shkruar mes tjerash ish-kryeministri.

Reciprociteti i shumëpërmendur dhe heqja e taksës nga qeveria e re pritet të marr formë brenda pak ditëve.

Kryeparlamentarja dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se brenda tri ditëve do të vendoset aspekti kohor dhe përmbajtja e masave reciproke. Teksa ka folur për këtë çështje, Osmani i është referuar marrëveshjes për bashkëqeverisje, sipas së cilës taksa do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar.

“Lidhur me konkretizimin e asaj marrëveshjeje besoj që këto dy-tri ditë do të kemi një takim koordinues dhe do t’i vendosim të gjithë hapat, qoftë për aspektin kohor, apo atë përmbajtjesor lidhur me zbatimin e asaj marrëveshjeje”, ka thënë Osmani pas mbledhjes së Kryesisë, të martën.