Gjykimi ndaj Haki Rugovës kthehet në pikën zero

Ishte marsi i vitit 2018 kur prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, për vepër penale konflikt interesi.

Për 3 vite gjykata e Pejës nuk ka arritur të përfundojë shqyrtimin gjyqësor ndaj Rugovës.

Ndërsa tash pas pensionimit të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sylë Lokaj, procesi ndaj Rugovës fillon rishtazi.Seanca e sotme gjyqësore ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit Ali Uka, të akuzuarit Haki Rugova, dhe mbrojtësit të tij, avokatit Besnik Berisha.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sami Sharraxhiu, prokurori Uka ka njoftuar gjykatën se nuk ka mundur të jetë prezent për shkak të konferencës vjetore të prokurorëve, që mbahet ditën e sotme.

I akuzuari Rugova nuk e ka arsyetuar mosardhjen e tij.

Ndërsa, avokati Berisha e ka njoftuar gjykatën se ka udhëtuar jashtë vendit për shkak të disa obligimeve personale.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 26 shkurt.