Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Salih Mustafës

Dhomat e Specializuara të Hagës ia kanë vazhduar paraburgimin ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Mustafa që po akuzohet për krime lufte në Zllash, do të qëndrojë në paraburgim të paktën deri pas pushimeve verore.

Kështu ka vendosur kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Folia, në një vendim që e ka bërë publik një ditë më parë.

Në mesin e arsyeve pse Mustafës iu vazhdua paraburgimi është rreziku i ikjes, ndikimi në dëshmitarë dhe zhdukja e provave. Kjo pavarësisht, se procesi ndaj tij tashmë mund të thuhet se është në fazën e fundit.

Në mesin e muajit shtator janë caktuar datat kur do të thuhen fjalët përfundimtare nga palët, dhe më pas do të shpallet vendimi.

Salih Mustafa është arrestuar në muajin shtator të vitit 2020, dhe që nga atëherë po mbahet në paraburgim.