Gjykata Speciale ia ka vazhduar paraburgimin ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Vendimi është marrë sot nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicollas Guillou. Në këtë formë, gjyqtari francez paraprak ka injoruar garancën e ofruar nga dy shtete për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit.

Madje, njëra nga shtetet garantuese është edhe direkt kontribuese në Dhomat e Specializuara të Gjykatës. Në vendimin e tij të specifikuar, gjyqtari Guillou ka urdhëruar mbrojtjen e Thaçit që parashtresat në lidhje me rishikimin tjetër të paraburgimit t’i dërgojë deri më 31 gusht.

Paraprakisht, avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka dërguar në Gjykatë parashtresat e tij për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit. Në këto parashtresa, Keohe përveç kundër-argumentimit të fakteve të prezentuara nga Prokuroria, jep detaje edhe për garancitë e ofruara për lirimin nga paraburgimi të Thaçit.