Elezaj: Dukagjini nuk luan për matematika të askujt, sot kërkojmë fitore ndaj Ballkanit

Skuadra e fundit në tabelë, Dukagjini i Klinës sot në shtëpi të vetë e pret Ballkanin në kuadër të javës së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll,

Dukagjini që tashmë është pa gjasa për mbijetesë, vazhdon të mbetet një skuadër bukur e respektuar, madje sipas drejtuesve të klubit ata pavarësisht se e cilësojnë vetën si anëtar të ri të Ligës së Parë, do të luftojnë deri në fund për fanellën e skuadrës.

Trajneri, Severin Elezaj në një bisedë për “Zeri.info”, ka thënë se Dukagjini nuk do të jetë kafshatë e lehtë për asnjë skuadër, dhe askush të mos mendojë se ndaj Dukagjinit mund të marrë pikë të lehta.

“Ndeshja me Ballkanin që e zhvillojmë sot do të jetë ndeshje e vështirë duke e parë mënyrën e paraqitjes dhe ndeshjeve që i zhvillon Ballkani”, ka thënë fillimisht tekniku klinas, i cili megjithatë nuk ia ka frikën asnjë skuadre e as Ballkanit.

“Ne do të paraqitemi me seriozitetin më të madh për rezultat pozitiv, edhe pse jemi në renditje tabelare në atë që jemi, nuk do të zhvillojmë ndeshje për matematika të askujt por do të paraqitemi në çdo ndeshje që klubet mos të ndihen të sigurt ndaj nesh”, ka thënë për “Zeri.info”, Severin Elezaj, duke folur më pas për ndeshjet e mbetura dhe presionin që e kanë klubet të cilat janë ende brenda objektivave, si ato për titull ashtu edhe ato për mbijetesë.

“Në këto ndeshjet e mbetura nuk do të jetë e lehtë të merren pikët nga asnjë përballje. E them këtë me arsyen sepse vet mënyra e ndeshjeve dhe ngarkesat që po paraqiten tek futbollistët, i bënë këto përballje jo të lehta që të merren pikë, pa marrë parasysh në çfarë renditje tabelare gjenden”, ka përfunduar Severin Elezaj.