E mposhti Coronavirusin, por Ragip Begaj është ende në gjendje të rëndë shëndetësore, flet djali i tij

Ndonëse ia arriti ta mposht koronavirusin, Ragip Begaj nuk është kthyer ende në vendin e tij të punës si kryetari i Komunës së Malishevës. Kjo pasi që gjendja e tij shëndetësore nuk është aspak e mirë, si rezultat i pasojave që ka lënë CoViD-19 te ai.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha tha për gazetën Objektiv  se kryetari nuk do të jetë në gjendje ta vazhdoj punën aty ku e kishte lënë edhe për një kohë, për shkak të pasojave të shkaktuara nga CoViD-19.

“Nuk është kthyer ende në punë. Nuk është as afër bile për tu kthyer. Pasojat që i ka shkaktuar virusi tash është duke i rikuperuar. Virusin e ka kryer, ka rezultuar negativ mirëpo janë disa pasoja tash”, ka bërë të ditur Berisha.

Madje Begaj nuk ka arritur të shkoj në shtëpi pasi u lëshua nga Klinika Infektive ku edhe mori trajtimin për tu shëruar nga CoViD-19.

Ai është duke qëndruar në banesën e djalit të tij në Prishtinë, për të qenë afër spitalit në Prishtinë.

“Për momentin kryetari është duke i marrë disa terapi fizikale, ushtrime. Ai është në banesë të djalit të tij në Prishtinë për me qenë më afër spitalit, nuk ka mundur të vije në Malishevë”, ka pohuar Berisha.

Edhe djali i tij, Minir Begaj ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të Kryetarit të Komunës së Malishevës.

Ai për gazetën Objektiv tha se babai i tij është në fazë rehabilitimi, pasi ende nuk po arrin të ngrihet në këmbë.

“Gjendja e tij shëndetësore është stabile. Ka filluar me marrë vetën. Është në fizio-terapi, ende nuk ka filluar të qohet vetë në këmbë. Këto janë pasoja të virusit. Ai është në trajtim ende. Është në fazë të rehabilitimin. Nuk mundet me u përgjigj ende”, ka thënë për Objektiv Minir Begaj.

Në fillim të infektimit më koronavirus gjendja shëndetësore e Bagajt ishte shumë e rëndë, tha djali i tij.

“Tash është java e pestë. Është duke provuar me marrë vetën tash gradualisht. Nuk ka rrezik tash për jetë, mirëpo në dy javët e para ka qenë goxha në telashe”, u shpreh më tej Minir Begaj.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj më 31 tetor ka njoftuar zyrtarisht se është infektuar me CoViD-19. Ndërsa pas dy javësh ai njoftoi se është shëruar.