E Fundit: Isa Mustafa thotë se Presidenti i takon PDK-së, nuk e pranojnë Vjosa Osmanin

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se kryeministrin e ka partia e tij, kryeparlamentaren Lëvizja Vetëvendosje, e Presidenti i takon partisë me radhë, që i bie PDK-së,

Përplasjet për brenda koalicionit qeverisës në Kosovë sa vijnë e po shtohen, por përkundër kësaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vazhdon të mendojë që kjo qeverisje është stabile, përcjellë Klan Kosova.

Mustafa në pyetjen se a e pranon LDK parterin e saj, Ramush Haradinajn për president, ka thënë se kjo pozitë i takon partisë së tretë me radhë, pra PDK-së.

”Nuk e kemi diskutuar në mënyrë shprehimore çështjen e presidentit në organet vendimmarrëse të LDK-së”.

”Vlerësojmë se vendit dhe demokracisë i bën mirë një ndarje e lehtë e përgjegjësive më të larta shtetërore. Vetëvendosjes i takon pozita e Kryeparlamentarit/es sipas Kushtetutës si parti që ka dalë me një deputet më shumë se LDK në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ka Kryeministrin dhe pozita e presidentit do t’i takonte partisë me radhë më të fuqishme në Kuvend”.

”Por çdo gjë mund të ndryshojë me një marrëveshje të gjerë, e cila siguron pjesëmarrjen aktive të dy të tretave në votim në Parlament dhe jo vetëm vullnetin e koalicionit qeverisës apo të një pjese” , ka thënë Mustafa.

”Në këtë koalicion e kemi kryeministrin. Në qoftë se në këtë konstalacion politik dhe parlamentar nuk arrijmë të gjejmë zgjidhje dhe përfundojmë në zgjedhje të përgjithshme si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, atëherë hapim edhe kombinime tjera, varësisht nga rezultati i zgjedhjeve dhe koalicionet e mundshme”.

Mustafa, i pyetur se a do ta pranonte Vjosa Osmanin si kandidate konsensuale për presidente, ka thënë për syri.net ”Jo. S’do të gabojmë dy herë”.

”Vjosën e kandiduam për Kryeministre me qëllime të mira, me të tilla sikurse që edhe e lidhëm koalicionin me VV”.

”Doli se dallimet predominuan këto qëllime”.

”Mirë që përfundoi me kohë, si martesa e paqëndrueshme. Nuk na ka mbetur shumë dashuri për kontakte, por nuk kemi as urrejtje”, ka përfunduar Mustafa.