Dikush ia ‘vjedh’ identitetin mërgimtarit nga Gjakova, nxjerr dokumente në emër të tij

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet për një rast të vjedhjes së identitetit që është raportuar javën e kaluar nga një person, i cili ka denoncuar se dikush ia ka shfrytëzuar të dhënat personale të djalit të tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se 57-vjeçari ka raportuar para hetuesve policorë se një person ka nxjerrë dokumente me emër dhe fotografi të të birit, i cili gjendet jashtë Kosovës, duke i shfrytëzuar të dhënat e tij.

Në deklaratën e dhënë në Polici, ai ka deklaruar se s’kanë informacione se cili mund të jetë motivi që e ka shtyrë të dyshuarin të bëjë këto veprime. Prandaj, ai ka vendosur të raportojë rastin dhe të kërkojë ndihmë nga Policia.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet dhe është vërtetuar se një person po i shfrytëzon të dhënat e djalit të ankuesit, por që i njëjti ende nuk është kapur.

Hetimet për këtë rast po zhvillohen në drejtim të veprës penale ‘Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’, e cila sanksionohet në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Kodit, kushdo që me dashje transferon, posedon ose shfrytëzon, pa autorizim ligjor, mjetin e identifikimit të personit tjetër, pajisjen e qasjes, ose informacionin e identifikimit të telekomunikimit, dënohet me burgim deri në dy vjet.