Dënohet me 5 muaj burgim komandanti i Shërbimit të Zjarrfikësve, në Kamenicë

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit R. B., duke e gjykuar në kohëzgjatje prej 5 (pesë) muajsh burgim.

I akuzuari në pozitën e komandantit të Shërbimit të Zjarrfikësve, më 18.06.2019 në Komunën e Kamenicës, përkatësisht në pompën e derivateve të naftës “Borovci Oil”, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimin e dëmit të dëmtuarës Shërbimit të Zjarrfikësve, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Ai kishte mbushur automjetin e tij privat të markës BMW X3, me derivate në sasi prej 58 litrash apo në vlerë 64.96 euro, ndërkohë ka ofruar të dhënat e automjetit zyrtar të markës Mercedes, bën të ditur komunikata e lëshuar nga kjo gjykatë.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka shqiptuar dënimin prej 5 muajsh burgim, gjithashtu i akuzuari obligohet që të kompensojë Komunën e Kamenicës për dëmin e shkaktuar.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​