DËGJIMI I SHTATË MË RADHË PËR KORNIZËN AFATMESME BUXHETORE 2026–2028 PËRFUNDON NË BASHKËSINË LOKALE TË GLLAREVËS

Në ambientet e shkollës së mesme të ulët “Dëshmorët e Qëndresës” në Gllarevë, është mbajtur dëgjimi i shtatë publik në kuadër të hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2026–2028, me banorët e fshatrave Gllarevë, Sferkë, Caravik, Volljakë, Zabergjë dhe Përçevë.

Takimin e udhëhoqi kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Financave, Enver Berisha, drejtori i Urbanizmit, Enver Berisha, drejtori i Shërbimeve Publike, Qendrim Millaku, drejtori i Inspektoratit, Faruk Smajli, si dhe drejtori i Kadastrit, Gjeodezisë dhe Pronësisë, Nikson Daka.
Në fjalën e tij, kryetari Elezaj u ndal te projektet që janë në fazën fillestare të realizimit, si dhe te ato që pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti.

“Korniza Afatmesme Buxhetore 2026–2028 paraqet një proces të rëndësishëm planifikimi strategjik, përmes të cilit komuna synon të sigurojë një ndarje të qëndrueshme dhe të balancuar të burimeve publike, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe nevojat reale të qytetarëve. Përmes dëgjimeve buxhetore, synohet të rritet transparenca, llogaridhënia dhe përfshirja e publikut në vendimmarrje. Ky proces është gjithashtu një mundësi për të vlerësuar sfidat ekzistuese, për të identifikuar përparësitë dhe për të orientuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të komunës,” – shtoi gjithashtu ai.

Ndërsa drejtori i Financave, Enver Berisha, prezantoi në pika të shkurtra kategoritë ekonomike dhe projektet me prioritet ndër vite. Ai bëri të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2026 është 16.338.898,00 €, ndërsa vlerësimi për vitin 2027 është 17.130.331,00 €, dhe për vitin 2028 është 17.939.537,00 €. Ndërkohë, buxheti aktual për vitin 2025 kap vlerën prej 16.168.653,00 €.

Dëgjimet buxhetore do të vazhdojnë edhe në bashkësi të tjera lokale, me synim përfshirjen e gjerë të qytetarëve në vendimmarrje dhe transparencën në menaxhimin e fondeve publike. Nga nesër, më datë 11 qershor, organizohen dëgjimet sipas agjendës së mëposhtme:

Shtëpia e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, me temë “Prioritetet e grave dhe të rinjve të Komunës së Klinës”, më 11.06.2025, ora 16:00.

SHFMU “Atë Shtjefën Gjeçovi”, në fshatin Zllakuqan, me banorët e fshatrave Zllakuqan, Berkovë, Ranoc, Leskoc, Nagllavë, Dranashiq, Stupë, Rudicë, Jagodë, Videjë, Krushevë e Madhe dhe Budisalc, më 11.06.2025, ora 17:00.

Për të gjithë të interesuarit e tjerë që nuk patën mundësi të jenë pjesë e këtyre takimeve, komentet apo kërkesat mund t’i përcjellin edhe në mënyrë të shkruar përmes postës elektronike deri më datë 24 qershor, në adresën:

Vlora Tafili, email: [email protected]
Melihate Behramaj, email:[email protected].