Biznesmeni ia fali për nder të kontributit të tij, prokuroria ia konfiskon tokën Fetah Rudit

Prokuroria Themelore e Pejës ka urdhëruar ngrirjen e mbi 80 parcelave në Pejë, Gjakovë, Deçan, Klinë dhe Istog, pasi Apeli e ka vërtetuar fajësinë e biznesmenit Agron Kelmendit për uzurpim të pronave.

Kelmendi pronar i një kompanie të patundshmërive në Pejë, kishte bërë dhurata të pazakonta vite më parë. Ai u kishte falur parcela toke personave të njohur si ish-kryetarëve të komunave, ish-gjyqtarëve, zyrtarëve policorë e artistëve, në pesë komuna të rajonit të Dukagjinit.

Në mesin e figurave të ndryshme publike që morën si dhuratë një parcelë toke ishte edhe ish-deputeti i LDK’së, Fetah Rudi.

Rudi ka deklaruar se i ka pranuar 3 ari e gjysmë tokë. Madje këtë tokë ai edhe e ka deklaruar si donacion në vlerë prej 15 mijë euro në regjistrin për deklarimin e pasurisë.

“Nuk e di në cilin vit por më ka thirrë, tha ju kemi nda familjeve të dëshmorëve, njerëzve që kanë kontribu, kryetarëve, në mesin e tyre tha të kemi zgjedhë edhe ty edhe çka mi thanë tjetër veç i kam thënë faleminderit 3 ari e gjysmë”, tha Rudi për Express.

Tutje, ish-deputeti Rudi tha se kjo pronë ndodhet diku te Rugova dhe përshkroi se si duket vendi.

“I rrafshët me asfalt, e kam pa nuk e kam perdorë. E di që ma ka dhuru, ma ka qitë në emër temin edhe kaq”, u shpreh ai.

Kujtojmë se, me 15 dhjetor të vitit 1999 kishte ndodhur atentati ndaj Fetah Rudit, pas takimit me kryetarët e degëve të LDK-së, te shefi i LDK-së aso kohe, Ibrahim Rugova.

Pasi kishte përfunduar takimi, rrugës për në shtëpi, në fshatin Bytyq, është sulmuar nga një breshëri armësh, me ç’rast nga plumbat e marrë ai kishte prej asaj kohe ka mbetur në karrocë.

Ai ka pohuar se i din emrat e tre personave që kanë tentuar ta vrasin atë.

Mirëpo, ai ka theksuar se armën me të cilën është bërë atentati e ka Policia e Kosovës, dhe se është arma e njëjtë me të cilën është vrarë Xhemajl Mustafa.

Ai ka thënë se Agim Zogaj i kishte thënë që urdhërdhënës për vrasjen e tij ka qenë Fatmir Limaj.

Fetah Rudi u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK’së në vitin 2019.