Behxhet Pacolli i ndanë 1 milion euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli ka thënë se është tronditur kur pa dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri. Ai ka thënë se kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale. “Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë 1 milion euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti. Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt. Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur. Mbështetja ime për vëllezërit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet. Unë pres po ashtu që në mënyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”, ka shkruar Pacolli.