Babai i të burgosurit që u vetëvar dje në Dubravë tregon për bisedën e fundit me djalin: I thosha sillu mirë se shpejt lirohesh

Dje rreth orës 07:30 në Qendrën Korrektuese në Dubravë, i burgosuri me inicialet E.SH, është gjetur i vetëvarur në krevatin e tij.

Vetëvrasja e dyshuar e djalit nga Vushtrria u krye në në një formë misterioze. I njëjti në dhomë ishte i vetëm dhe për të kryer vetëvarjen ka përdorur shtratin e tij të dhomës.

Babai i tij, Shaban Shabani, kërkon që të sqarohen rrethanat që çuan djalin e tij deri në këtë akt.

“Policia më treguan, rreth orës 11:00, më thanë një djalë që e ke në burg ka ndërru jetë. Mendja jem që djali është i sigurt aty, me shku i gjallë e me ardhë i vdekur, kjo veç tek ne ndodh.  Vetëm më kanë thënë se djali ka vdekur, më vonë fëmijët e kanë parë në gazeta se ka bërë vetëvrasje .Vetëm 1 metër e gjysmë i ka pasë aty, si ka mundur të ndodhë? Djali më ka shkuar, por po dua t di se qysh e tek ndodhi e gjithë kjo sepse e di që mund t’i ndodhë gjithkujt, por veç po dua tA di çka e ka shtyrë djalin të shkojë deri te vetëvrasja”, ka thënë Shabani.

Tutje, ai ka treguar se me djalin e tij kishte kontaktuar për herë të fundit tri ditë para Bajramit, kur e kishte lajmëruar se ia kishte dërguar 50 euro.

“Për herë të fundit kam folur tri ditë para Bajramit. Veç do pare më ka pyetur nëse ia kam dërguar. I thashë se po, ia kam dërguar 50 euro. Hua i kam marrë. Por, më as për Bajram nuk më ka thirrur as asgjë. Ka më shumë se një muaj që s’e kam parë, dikur në qershor. Por, edhe në herën e fundit kur e kam takuar hiç s’është vërejtur që është i brengosur. I thosha rri mirë dhe sillu mirë se shkon shpejt koha e lirohesh”, ka thënë Shabani për Klan Kosovën.

KMDLNJ ka reaguar për këtë rast duke kërkuar që me urgjencë të hetohet kjo vdekje. Në reagimin e tyre thuhet se i ndjeri kishte kërkuar që të transferohet në një qendër tjetër korrektuese.

Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative. Gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me raport administrativ përfundimtar.