Apel për qytetar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë, apelon qytetarët ti përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar, “Qytetarë kujdes nga rriqrat”! Përmbajuni rekomandimeve të Institutit Kombëtar që të mbroheni nga Ethet hemorragjike! Në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes. Numri i të pickuarve ka arritur në 602 në komunën e Malishevës, 257 raste në komunën e Suharekës, 194 raste në komunën e Klinës dhe 94 raste në komunën e Rahovecit, si pasojë e qëndrimit në livadhe të pa kositura, shkurre dhe stalla dhe veshmbathjes jo adekuate. Kujdesi duhet të jetë i madh nga qytetarët sepse nga pickimi tashmë një person është diagnostikuar me ethe hemorragjike me gjendje te përkeqësuar klinike. Tashmë ekipet profesionale po bëjnë repelimin e kafshëve. Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët për sivjet:

Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
Kontrolloni trupin çdo mbrëmje mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në oborre,
Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.