Angazhimi në zgjedhje u kushton 212 familjeve me heqjen e ndihmës sociale

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë që këto familje do të marrin përsëri social në muajin dhjetor.

22 mijë e 500 persona, ishin të angazhuar si staf i Komisionit Qendror Zgjedhor, në zgjedhjet e 6 tetorit.

E rreth dy muaj pas kësaj, pagesat për ta, duket që janë gati.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka proceduar për pagesë në Ministrinë e Financave listat e të gjitha komunave të anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit tjetër të angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit”, thuhet nga KQZ.

Nga KQZ, thonë se atyre që nuk iu kanë dalë mjetet, ta komunikojnë me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku kanë qenë të angazhuar.

Por, për disa familje të tjera, kjo pagesë nga KQZ paraqiti një tjetër problem.

Familjet me asistencë sociale, familjarët e të cilëve ishin të angazhuar si staf i KQZ-së në këto zgjedhje, muajin nëntor mbeten pa e marrë socialin.

“Është e vërtetë që në muajin tetor, një numër i familjeve ka qenë të kyçur në procesin e zgjedhjeve, kjo ka rezultuar të marrin pagesa përmes llogarive bankare, dhe bazuar në aktet tona ligjore ne fuqi, ne jemi të obliguar që këtyre familjeve t’u kërkojmë kthimin e mjeteve, apo nëse nuk i kthejnë në gjykatë”, thotë Mentor Morina, Udhëheqës në Departamentin e Mirëqenies Sociale.

Por, duke e pasuar parasysh që ky lloj i pagesës nga KQZ, është ekzekutuar vetëm një herë, sipas Morinës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale, nuk do t’i lerë këto familje pa social në muajt e ardhshëm.

Ndryshe, sipas Mentor Morinës, asistence sociale në Kosovë, marrin rreth 25 mijë familje. /Express/