Ambasadori gjerman: Kosova, rast unik në Evropë, për të pestën herë nuk e voton Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë thirrje që deputetë e Kuvendit të Kosovës ta votojnë projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Rohde përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter tha se lufta kundër efekteve negative në ekonomi të shkaktuara pandemia është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhim të përbashkët.

“Në këtë aspekt është mjaft dëshpëruese dhe sipas njohurive të mia edhe rast unik në Evropë se për herë të 5-të në Kuvendin e Kosovës nuk është arritur marrëveshje për draft-ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike”.

“Ajo që duhet urgjentisht nga gjithë përgjegjësit është fryma e kompromisit. Qytetarët e Kosovës me të drejtë e presin këtë”, ka shkruar Rohd.

Kujtojmë se deputetët e Kuvendit për të pestën herë kanë dështuar që të kalojnë projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.