Aktgjykimi i parë i Speciales jep 9 vjet burg për ish drejtuesit e OVL së UÇK-së

Është shpallur aktgjykimi i parë nga Gjykata Speciale në Hagë kundër ish drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Ata u dënuar me nga 4 vjet e gjysmë për publikimin e dokumenteve të Speciales të cilat ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë vitit 2020.

Në dënim do t’u përllogaritet koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.

Sipas trupit gjykues, Gucati e Haradinaj qëllimshëm kishin zbuluar informacionet e mbrojtura dhe rrezikuan dëshmitarët. Është konstatuar edhe pengesa e zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Gucati dhe Haradinaj ishin deklaruar të pafajshëm dhe kanë thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore.

Në aktakuzë parashtrohet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.