A e mbështet Spanja liberalizimin e vizave për Kosovën, apo kushtin francez

Autoritetet në Spanjë as nuk e kanë pohuar dhe as mohuar qëndrimin e tyre në lidhje me propozimin e Francës për të lidhur procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Udhëtimit dhe Informacionit (ETIAS).

Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës tha për SchengenVisaInfo.com se qëndrimi i shteteve të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës do të specifikohet në takimin e radhës të grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian që do të mbahet kah fundi i nëntorit ose në fillim të dhjetorit të këtij viti.

“Tema sapo ka filluar të trajtohet në Bruksel dhe do të ndjekë procedurën e saj normale gjatë së cilës do të specifikohen qëndrimet e shteteve të ndryshme anëtare”, theksoi Elena Aljarilla, nga departamenti i shtypit i Ministrisë së Jashtme të Spanjës.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është përfshirë për herë të parë në agjendën e takimit të Grupit Punues të Komisionit Evropian të mbajtur më 13 tetor të këtij viti si temë diskutimi.

Gjatë takimit u raportua se autoritetet franceze shpalosën propozimin që ky proces të lidhet me funksionalizimin e ETIAS dhe se të paktën katër anëtarë të BE-së e mbështetën një ide të tillë: Belgjika, Suedia, Holanda dhe Spanja.

Megjithatë, pretendime të tilla nuk janë konfirmuar nga Spanja, ndërsa departamenti i shtypit i Ministrisë së Jashtme spanjolle theksoi se qëndrimi i vendeve të BE-së do të sqarohet në mbledhjen e ardhshme të Grupit të Punës.

Pas mbledhjes së grupit punues të mbajtur më 13 tetor, Presidenca Çeke e Këshillit Evropian tha se duhet sqaruar më tej disa çështje që të avancojë procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, por komente të tilla nga grupi punues për liberalizimin e vizave u konsideruan si kritere shtesë nga disa politikanë dhe analistë politikë në Kosovë, duke i shuar edhe një herë shpresat e kosovarëve se një proces i tillë do të finalizohet shpejt.

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën filloi më 19 shkurt 2012. Në vitin 2018, Komisioni Evropian vlerësoi se vendi i plotësoi dy kërkesat e fundit që procesi të përfundojë: ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe një histori të fortë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Që nga viti 2018, Komisioni i Bashkimit Evropian ka kërkuar vazhdimisht që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës; megjithatë, procesi i shumëkërkuar ende nuk është finalizuar.

Së fundmi, presidenti i Serbisë ka thënë se Serbia mbështet heqjen e vizave për Kosovën.

Komentet e Vuçiqit erdhën pas komenteve të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, gjatë takimit të mbajtur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në të cilën presidentja e KE-së theksoi se Kosova e meriton liberalizimin e vizave, duke shtuar se BE-ja do të përpiqet të bindë të gjitha shtetet anëtare që regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës duhet të hiqet.

“Kosova e meriton liberalizimin e vizave. Tani e kemi rikonfirmuar se i keni plotësuar të gjitha kriteret. Detyra jonë tani është të bindim të gjithë Këshillin Evropian – shumica prej tyre tashmë janë në anën tuaj”, theksoi Von der Leyen në këtë drejtim.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në fillim të këtij muaji ka konfirmuar se në mbledhjen e radhës të Grupit Punues të Bashkimit Evropian do të votohet në Parlamentin Evropian për heqjen e vizave për kosovarët.