500 milionë raste të reja të sëmundjeve deri më 2030 nëse njerëzit nuk bëjnë aktivitet fizik

Gati 500 milionë raste të reja të sëmundjeve si diabeti i tipit 2, presioni i lartë i gjakut dhe demenca do të paraqiten në botë deri në vitin 2030 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente për të inkurajuar më shumë njerëz që të bëjnë ushtrime të rregullta, thuhet në një raport.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se kostoja e dështimit të qeverisë që t’i bëjnë njerëzit të lëvizin më shumë, do të ishte rreth 27 miliardë dollarë në vit, raportoi të mërkurën The Guardian.

Sipas raportit të parë global të OBSH-së mbi aktivitetin fizik vihet në dukje se stërvitja e rregullt redukton rrezikun e vdekjes së parakohshme me 20-30%.

Megjithatë, pavarësisht përfitimeve të qarta, zbatimi i politikave që synojnë të inkurajojnë më shumë ushtrime ka qenë “i ngadalshëm”, duke rezultuar në “progres të vogël”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se si pasojë e mosveprimit të kësaj politike, sistemet shëndetësore ngarkohen me sëmundjet që njerëzit do të mund t’i parandalonin nëse do të ishin aktivë.

Nëse situata nuk ndryshon, OBSH-ja parashikon se deri në vitin 2030 do të ketë 499.208 milionë raste të reja të sëmundjeve kronike të parandalueshme dhe sëmundje mendore, si diabeti i tipit 2, sulm në tru, demenca, depresioni dhe disa lloje kanceri. Më shumë se 40% e këtyre do të ndodhin në vendet me të ardhura më të ulëta si Kenia, India dhe Bangladeshi.

Gati gjysma e rasteve të reja të sëmundjeve kronike do të rezultojnë nga hipertensioni dhe 43% nga depresioni, thotë raporti.

OBSH-ja ka thënë se rreth 7-8% e të gjitha rasteve të sëmundjeve kardiovaskulare, depresionit dhe demencës mund të parandalohen nëse njerëzit do të ishin më aktivë.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, u bëri thirrje qeverive të zbatojnë politika për të rritur aktivitetin fizik dhe në këtë mënyrë të reduktojnë presionin mbi sistemet e kujdesit shëndetësor.