“50 euro për kthim të librezës së qarkullimit”, arrestohet polici që kërkonte ryshfet

Inspektorati Policor i Kosovës para dy ditësh ishte  informuar lidhur me një rast ku dyshohet se një zyrtar policor me datën 28.04.2022 kishte kërkuar ryshfet shumën prej 50 € (pesëdhjetë eurove) nga një i dyshuar (qytetar) që të ja kthente librezën e qarkullimit.

Rasti kishe ndodhur në udhëkryqin e rrugës “Lidhja e Prizrenit” afër udhëkryqit me rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, gjersa polici ishte duke u marrë me një aksident trafiku.

Sipas IPK-së, i dyshuari, zyrtar policor, me datën 28.04.2022, rreth orës 23:00, para Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, ja dorëzon të dyshuarit (qytetarit)  në kundër vlerë prej 50 eurove librezën e qarkullimit.

“Mbi bazën e gjitha këtyre dyshimeve, është informuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore te Prishtinës dhe me autorizim te tij janë ndërmarrë veprime tjera të nevojshme lidhur me zbardhjen e rrethanave të rastit, intervistimin e personave të  involvuar në këtë çështje, dhe me udhëzim të prokurorit kujdestar, zyrtari policor është dërguar në mbajtje për 48 orë, me dyshimin për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa qytetari i dyshuar për veprën penale “Dhënje e ryshfetit”  është proceduar në procedurë të rregullt” thuhet në njoftimin e IPK-së.

Ndërkaq, dje IPK ka dorëzuar Kallëzimin penal ndaj zyrtarit policor, për veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe ndaj qyetarit për veprën penale “Dhënje e ryshfetit”.