41 të vdekur për një javë nga Covid-19 në Kosovë

Koronavirusi merr 41 jetë përbrenda një jave në vend.

Që nga e hëna, deri të dielën, kanë vdekur 41 persona nga koronavirusi në Kosovë.

Bazuar në statistikat ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, numri më i lartë i vdekjeve si pasojë e Covid-19 përgjatë kësaj jave ishte përgjatë ditës së hënë – 10 të vdekur

Ndërkaq, vetëm përgjatë së dielës, kanë humbur betejën me virusin gjashtë persona, sipas IKSHPK’së.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 6 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Deçan 1 rast (72 vjeç), Drenas 1 rast (69 vjeç), Gjakovë 1 rast (68 vjeç), Podujevë 1 rast (86 vjeç), Prizren 1 rast (60 vjeç), Suharekë 1 rast (59 vjeç)”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.

Mosha më e re e njerëzve të vdekur nga koronavirusi gjatë kësaj jave është 29-vjeçare, ndërkaq mosha më e vjetër 91.

Numri total i rasteve të vdekjeve në vend si pasojë e Covid-it është 1.498, sipas Institutit.

Në vend janë paraqitur edhe rastet e para të variantit britanik të koronavirusit, për të cilin ekspertët kanë paraparë se është më i ngjitshëm sesa varianti standard.

Infektologët në Kosovë kanë paralajmëruar rritje të numrit të rasteve në javën e ardhshme, teksa fajin ia kanë atribuuar grumbullimit të personave përgjatë fushatës politike. Për këtë, IKSHPK’ja ka pasur një apel për institucione.

“Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”, apelohet në raportin e përditshëm të IKSHPK’së.