30 muaj pa njohje të re për Republikën e Kosovës

Janë bërë dy vjet e gjysmë prej kur Kosova nuk ka marrë as edhe një njohje të re. Shteti i fundit që e ka njohur Kosovën ishte Ishulli Barbados, më 15 gusht të 2018-s. Që atëherë ndonëse janë ndërruar tri qeveri, por asnjëra prej tyre nuk ka arritur t’i sjellë Kosovës njohje të reja, përderisa Serbia për asnjë moment nuk e ka ndalur fushatën e çnjohjeve. Madje, sipas Serbisë, falë fushatës së saj, deri më tash, 18 shtete i kanë tërhequr njohjet për Kosovën.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme, pavarësisht përpjekjeve të televizionit, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje sa i përket strategjisë për sjelljen e njohjeve të reja.

Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla ditë më parë pati deklaruar se i ka parandaluar përpjekjet e Serbisë për dy çnjohje për pavarësinë e Kosovës, ani pse në qershor shefi i saj, kryeministri Avdullah Hoti, kishte rënë dakord me presidentin e Serbisë që të ndalet kjo fushatë, në këmbim të pezullimit të përpjekjeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare nga ana e Kosovës.

Madje, për këtë vit, deri më tash, nuk është bërë e ditur nëse Kosova synon të aplikojë për anëtarësim në ndonjë organizatë.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, njëherësh deputete nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka theksuar se për shkak të pandemisë është pamundësuar që të shtrihet aktiviteti maksimal për njohje të reja e anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por që, sipas saj, përpjekjet nuk janë ndalur.

“Është një periudhë pandemie dhe është i pamundur edhe lobimi edhe lëvizja e njerëzve përgjegjës që janë për këto tema. Zvarritja e procesit të dialogut ndoshta ka ndikuar që të ndalet edhe procesi i njohjeve. Ka qenë e padrejtë që Serbia nonstop ka lobuar dhe ne e kemi kundërshtuar në të gjitha instancat edhe vendore edhe ndërkombëtare”.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Dashnim Ismajli, ka theksuar se dialogu pa rezultat mes Kosovës e Serbisë e ka vendosur shtetin në situatë të pafavorshme karshi Serbisë dhe propagandës së saj për çnjohje. Sipas tij, përveç dialogut, edhe kriza politike e ka stopuar funksionimin e diplomacisë kosovare.

“Kosova qe disa vite nuk po tregon stabilitet të qëndrueshëm politik, kriza e brendshme politike rezulton edhe me mosfunksionimin apo moskoordinimin efikas të diplomacisë. Jashta kësaj, faktor tjetër është edhe mos koordinimi i diplomacisë kosovare dhe neglizhenca në ndjekjen e kursit intensiv lobues për të sforcuar subjektivitetin e shtetit në politikën ndërkombëtare”.

Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guinea Bisao, Burundi, Liberia, Guineja e Re, Lesoto, Dominika, Grenada, Unioni i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskar, Palau, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone dhe Nauru, janë shtetet që deri më tash kanë tërhequr njohjet për Kosovën, sipas ministrit të jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

https://youtu.be/15bMEk2Rfdo