28 Nëntori bën bashkë deputetët e Kosovës dhe Shqipërisë

Deputetët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë do të bëhen bashkë këtë 28 Nëntor në Tiranë, për të festuar 110 vjetorin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë

Delegacioni nga Kosova do të niset për në kryeqytetin shqiptar më 26 nëntor dhe do të kthehet një ditë më pas.

Gjithashtu, më 27 nëntor do të mbahet një seanca e parë e përbashkët e të dy kuvendeve.

Këtë e konfirmoi për Telegrafin, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në një dokument të siguruar nga Telegrafi, thuhet se Kuvendi i Shqipërisë do të mbulojë akomodimin dhe një drekë për të gjithë pjesëmarrësit nga Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa, Kuvendi i Kosovës do të mbulojë transportin për të gjithë pjesëmarrësit (transporti i organizuar nga Kuvendi i Kosovës me autobus), si dhe mëditjet veç për stafin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa jo për deputetët e Kuvendit.Nga Grupet Parlamentare të Kuvendit është kërkuar që deri më 15 nëntor 2022, të përgatisin listën e deputetëve që do të udhëtojnë me transport të organizuar nga Kuvendi, si dhe atyre me automjete private.

Akomodimi i delegacionit të Kosovës do të bëhet në dy hotele të ndryshme.

“Hotel Sheraton: 50 vende (Kryetari i Kuvendit plus stafi, Kryeministri plus stafi, Sekretari i Përgjithshëm plus stafi). Hotel International: pjesa tjetër e delegacionit max 155 vende (deputetët; nënkryetarët; ministrat dhe stafet)”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga kryeparlamentari Konjufca.

SHARE