24-vjeçari kosovar që i goditi me veturë 6 veta në Gjermani: Ju lutem më qëlloni, nuk doja të ndodhte kjo!

Shoferi kosovar Refail A. (24 vjeç) është futur me veturën e tij në një turmë njerëzish në Berlin, të dielën në mëngjes. Për pasojë, janë lënduar gjashtë persona. Njëri prej viktimave është ende në rrezik për jetën ndërsa identiteti i një personi tjetër të lënduar rëndë nuk është sqaruar sepse Policia ende nuk ka arritur ta marrë në pyetje atë.

Siç shkruan Berlinez Zeitung (BZ), kosovari e kishte humbur kontrollin e automjetit duke dalë jashtë rrugës.

Pasi automjeti i tij arriti të ndalej në një kuti postare, në vendin e ngjarjes janë zhvilluar skena dramatike, shkruan gazeta. Policët federalë, të cilët ishin të parët në vendin e aksidentit dhe e arrestuan Refail A., thonë se ai ka bërtitur mes lotëve “Ju lutem më qëlloni, nuk doja të ndodhte kjo!”, transmeton Gazeta Sinjali

Zëdhënësi i Policisë, Martin Halweg thotë se “nuk ka asnjë arsye për ndalimin e tij. Rreziku për arratisje mund të ishte një arsyetim por ne e mohojmë atë pasi që 24-vjeçari ka qëndrim të rregullt në Gjermani dhe këtu e ka qendrën e jetesës”.

Ndërkohë, nga e hëna dihet se Refail A. nuk është duke u hetuar më për tentimvrasje. Mona Lorenz, zëdhënëse e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Berlinit ka thënë për BZ se “Hetuesit konsiderojnë se fjala është për një aksident. Sipas statusit aktual, vrasja përjashtohet. I akuzuari po hetohet për shkak të rrezikut të shkaktuar në trafikun rrugor”.

Nëse dënohet sipas rrethanave të tashme, kosovari do të përballet me një maksimum prej pesë vitesh burg. Por në rast se do të dënohej për vrasje, dënimi mund të ishte i përjetshëm ose 15 vjet, siç praktikohet në bazë të ligjit penal të Gjermanisë.

Por kosovari është ende i lirë, ndërsa ajo që është sqaruar së fundi është se ai nuk kishte as patentë shofer. /