205 raste aktive me koronavirus aktualisht në Kosovë

205 raste aktive me koronavirus janë aktualisht në Kosovë. Kjo shifër është arritur pasi që të hënën janë regjistruar edhe 18 raste të personave të shëruar dhe 3 raste të reja me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se rastet pozitive kanë rezultuar pas testimit të 200 mostrave të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Sipas Institutit që të tri rastet pozitive janë raste kontakti nga komuna e Prishtinës.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 988 ndërkohë që me 18 rastet e shëruara, numri i të shëruarve ka arritur në 754.

Deri më tani në Kosovë nga koronavirusi kanë vdekur gjithsej 29 persona, për të cilët institucionet shëndetësore kanë thënë se kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Në Kliniken Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të hënën kanë qenë të shtrirë 10 pacientë me COVID-19. Sipas raportit të kësaj Klinike, 7 pacientë kanë qenë në gjendje stabile dhe 3 tre kanë qenë në gjendje më të rënduar në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. 2 prej këtyre të fundit thuhet se kanë qenë duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv të kësaj Klinike.

Sa i përket komunikimit të rezultateve të testimeve për COVID-19, për qytetarët të cilët testohen, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja kanë lëshuar një informate, ku kanë sqaruar se njoftimi n për rezultatet e testimit e marrin menjëherë vetëm ata që rezultojnë pozitiv.

“Dëshirojnë t’u rikujtojnë qytetarëve se pas marrjes së mostrave të dyshuara për SARS-COV-2, qytetarët të cilët rezultojnë pozitivë në këtë virus informohen menjëherë nga ekipet e IKSHPK-së, të cilët në të njëjtën kohë vihen në gjurmim edhe të kontakteve të rasteve të tjera në terren, të ndërlidhura me rastet që rezultojnë pozitive”, thuhet në këtë informatë.

Ndërkohë, personat të cilët nuk kontaktohen pas publikimit të rezultateve thuhet se nënkuptohet që janë raste që kanë rezultuar negative në SARS-COV-2, përkatësisht në sëmundjen Covid-19 dhe të njëjtin informohen në një procedurë më të ngadalshme për shkak se ata janë më pak të rrezikuar.

Nga data 8 shkurt deri më tani janë testuar gjithsej 11 mijë e 987 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

IKSHPK ka bërë të ditur se vazhdimësi përgjatë 24 orëve kontakton dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetë-izolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.