10 familje me asistencë sociale në Klinë do të përfitojnë nga 2500 euro

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka njoftuar se 10 familje me asistencë sociale do të përfitojnë nga 2500 euro.

“Pas bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur vitin e kaluar, ku kemi ndihmuar 15 familje me motokultivator dhe mjete tjera, me organizatën ndërkombëtare humanitare “Arbeiter-Samariter-Bund Deutschland(ASB) kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi edhe për këtë vit, ku do të ndihmojmë edhe 10 familje tjera”, shkruan Elezaj në FB.

Ky projekt sipas tij ka qëllim të mbështetjes së familjeve në nevojë dhe krijimin e kushteve më të mira për fillimin e biznesit të vogël familjar, ndërsa do të realizohet në kuadër të projektit

“Mbështetje e integruar socio-ekonomike për familjet shumë të prekura”.

Projekti financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme Gjermane dhe Komuna e Klinës.

“Falënderova përfaqësuesen e organizatës, Dafina Hoxhën, për bashkëpunimin e frytshëm në realizimin e këtij projekti nga i cili përfitojnë direkt qytetarët dhe kam ofruar mbështetjen time të pa rezervë, si në aspektin financiar ashtu edhe teknik, në mënyrë që familjeve në nevojë të ju krijohen mundësi të fillojnë biznese familjare”, përfundon postimi Elezaj.