10 euro taksë për hyrje në Prishtinë, reagon kryetari i Klinës

Ndër të parët që i ka reaguar kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti lidhur me pagesën 10 euro për hyrje në Prishtinë është kryetari i Klinës Zenun Elezaj. I kontaktuar nga Express, Elezaj thotë se një vendim i tillë i mundshëm do të duhej të ishte më parimor.

Propozimi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti që qytetarët që hyjnë me makina në kryeqytet të paguajnë 10 euro taksë, ka ngjallur reagime të shumta. Partitë politike në Kuvendin Komunal shprehen kundër, derisa kanë ardhur reagimet e para edhe nga komunat.

Zenun Elezaj, kryetar i Komunës së Klinës thotë se nuk do të duhej të kishte ndarje të qytetarëve në komuna, nëse do të aplikohej një taksë e tillë.

“Mendoj se me vendim nuk duhet te dallohen qytetaret e komunave por vendimi duhet te jete me parimor”, tha Elezaj

I pari i Prishtinës thotë se një masë e tillë do të evitonte tollovinë në komunikacion dhe do të mbronte qytetarët nga ndotja e ajrit.

Ai arsyetohet se një masë të tillë e aplikon edhe kryeqyteti britanik.