10 ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, numri i rasteve me COVID-19 rritet për afër 3 mijë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi të mërkurën edhe për 461 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 67 mijë e 469,

Nga 15 shkurti, një ditë pas zgjedhjeve që u mbajtën në Kosovë, numri i rasteve u rrit për 2 mijë e 950.

Që nga fillimi i fushatës zgjedhore në Kosovë, por edhe para hapjes zyrtare, vazhdimisht është bërë thirrje për respektim të masave, në mënyrë që të mos rritet numri i rasteve të reja si pasojë e grumbullimit të qindra njerëzve.

Paralajmërim se mund të ketë rritje të numrit të rasteve pas zgjedhjeve në Kosovë, kanë bërë edhe ekspertët shëndetësorë në Kosovë.

Kujtojmë se për shkeljen e masave kundër koronavirusit janë gjobitur të gjitha subjektet politike.