​Flet mjeku i shëruar nga koronavirusi

Mjeku Jetish Jetishi është liruar dje nga Klinika e Infektives pasi është shëruar nga Covid-19.

“Miq të nderuar, jam infektuar në krye të detyrës në Repartin e Emergjencës dhe jam shumë i lumtur që falë respektimit të masave të rekomanduara të IKSHP, kam arritur të ndërpresë zinxhirin infektues dhe me këtë rast nuk kam infektuar asnjë nga bashkëqytetarët e Komunës së Gjakovës dhe kolegët e Spitalit “Isa Grezda” Gjakovë. Gjithë të sëmurëve iu dëshiroj shërim të shpejtë, ndërsa gjithë tjerëve, i këshilloj t’i respektojnë rekomandimet e IKSHP dhe me ketë rast t’i kurseni jetët e të moshuarve dhe mantel-bardhët”, shkruan Jetishi në Facebook.

Ai ka falënderuar stafin e Klinikës Infektive në Prishtinë, Sali Ahmeti, Shemsedin Dreshaj, Valbon Krasniqi, drejtoreshën e Klinikes Lindita Ajazi – Berisha dhe të gjithë mjekët dhe infermierët që kanë shërbyer me për kushtim dhe profesionalizëm të madh.

Një falënderim shkon edhe për Agreta Gecaj-Gashi dhe motrën e nderit-motra kryesore e MIQ Valentina Gjinaj, të cilët e kanë vizituar çdo ditë, si dhe familjet Tafilaj, Bytyqi dhe Vigan Gashi, të cilët janë kujdesur çdo ditë për furnizime me ushqime dhe mjete higjienike.

Mjeku Jetishi falënderon edhe menaxhmentin e Spitalit Regjional në Gjakovë si dhe kolegët e tij, të cilët vazhdimisht janë interesuar për gjendjen e tij.

“Do të kisha pasur dëshirë të shpreh falënderime edhe për kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe strukturat e Komunës, por nuk mund ta bëj një gjë të tillë meqenëse nuk e kanë parë të arsyeshme të ma bëjnë një telefonatë për të pyetur për gjendjen time shëndetësore apo nevojat e familjes sime të cilët kanë qëndruar dy javë të izoluar. Shembull duhet të marrin te kryetarët e komunave të Vitisë dhe Malishevës, të cilët pandërprerë jan ë interesuar për pacientët dhe familjarët e tyre”, përfundon Jetishi